19/10/2026
🇦🇱 Protestat që vijojnë në Shqipëri, ashtu si në një pjesë të madhe të vendeve perëndimore, përtej arsyeve të shumta që lidhen me faktorë lokalë, tregojnë qartazi rritjen e tensioneve sociale, si në raport me qeveritë, ashtu edhe mes shtresave të ndryshme të popullsisë.
Përtej këtyre zhvillimeve, ne duhet të merremi me shkaqet dhe jo vetëm me pasojat, nëse duam një shoqëri më të barabartë dhe me më shumë prosperitet.
🎓 Ne këmbëngulim se shtetet duhet të investojnë shumë më tepër në edukimin dhe arsimimin e individit. Është një nga investimet më të drejtpërdrejta që shoqëria kryen tek individët e saj. Buxhetet për arsimin nuk mund të mbeten në nivelet 2.5–3.5% të PBB-së, nëse synojmë një transformim të vërtetë.
Nëse sot investojmë seriozisht në arsimim cilësor, brenda 5–10 viteve mund të shohim frytet e para të jashtëzakonshme: individë më të përgjegjshëm shoqërisht, më të aftë profesionalisht dhe më të pavarur ekonomikisht.
Ne po e nënvlerësojmë jashtëzakonisht fuqinë e arsimimit cilësor, ndoshta sepse nuk e kemi përjetuar asnjëherë në potencialin e tij të plotë.
📈 Ky duhet të jetë drejtimi ynë. Një individ i arsimuar mirë është vlerë e shtuar për gjithë shoqërinë. Ai krijon mirëqenie për veten dhe për të tjerët, kontribuon në zhvillimin ekonomik dhe nuk ndihet i përjashtuar nga shoqëria.
Sigurisht, kjo kërkon bashkim forcash, vullneti dhe interesash. Është e vështirë për t'u konceptuar dhe implementuar, por është një investim që nuk mund të vazhdojmë ta shtyjmë.
🌍 Në DTI, prej 3 vitesh, promovojmë pikërisht këtë bindje: arsimin duhet ta shohim si një mision, jo thjesht si një shërbim apo mundësi për të fituar një profesion.
Sepse të investosh në arsimimin e një individi do të thotë të investosh në të ardhmen e një shoqërie të tërë.